Të rri këtu apo jashtë? Nga seria e pyetjeve ekzistenciale të ardhura në inbox.
Kjo do të ishte dilema jetësore nëse Shekspiri do të kishte lindur në Shqipëri. Me statistikë jemi një nga popujt që emigrojmë më shumë. E nëse nuk e bëjmë fizikisht, e bëjmë çdo herë para gjumit, kur na kujtohet lista ditore e përjetshme, që nga aroma në autobus e deri te shefet, që në intervistat e punës na pyesin nëse jemi të martuara (nuk e di ende nëse arsyeja është për të kuptuar sa burrëngrënëse jemi apo sa shumë do i dedikohemi punës).
Por kjo e ka një të mirë. Në Shqipëri paska gra sipërmarrëse (edhe pse paragjykuese).
Unë jam një nga ata të ikurit. Arsyeja nuk duhet shpjeguar domosdoshmerisht. Ajo që dua të them është se më lejohet të kem një opinion sado modest për t’ju përgjigjur pyetjes në nëntitull.
Njoh vajza dhe djem shumë që kanë ndenjur, kanë luftuar, po fitojnë e prapë duan të largohen. Nga ana tjetër jam unë që bëja sondazhe në instagram, “A do të doje të ktheheshe në Shqipëri”?
Nuk mendoj se ka përgjigje të saktë për këtë, sepse varet nga çfarë ke lënë pas. Nëse të dhëmb më shumë vetmia e përshëndetjes në gjuhe të huaj apo krenaria e mosmarrjes së asaj që mendon se meriton.
Sa je ti gati të luftosh?
Do të jesh fundi i zinxhirit apo një nga pjesët e papërlyera të administratës, që dinjiteti i peshon më shumë se rroga? A ke ti një plan të qartë mbi njeriun që do të bëhesh? Apo vetëvlerësimi dhe llogaritë e rrjeteve sociale, ku paraqitje plus përmbajtje e shtirur barazohen me famë, e rrjedhimisht sukses të arritur brenda ditës. E ke menduar ndonjëherë sa gjëra i marrim të mirëqëna dhe pyetjes më të thjeshtë “A e more provimin” i përgjigjemi me “Nuk ma dha”. Mund të duket krahasim deri diku spartan, por ështe baza e problemit më të madh që prodhon mosfunksionimin e një shteti, korrupsionit.
Kush do të ishe ti në një kontekst më të gjerë dhe të panjohur?
Këto janë disa nga pyetjet që duhet t’i bësh vetes.
Në një botë ideale, Shqipëria mund të ishte si Zvicra dhe bota ideale që të krijohet do një gur themeli edhe nga ty.
Mund të zgjidhja të listoja arsyet pro dhe kundër, por nuk besoj të ketë njeri që mund të shkojë kundër identitetit të tij.
E mira do të ishte, të merrnim “të mirat” e botës e t’i bashkonim me tonat, duke dhënë kontribut ndoshta edhe nga jashtë. Por jo lëmoshë! Dhe ju lutem, jo reklamë!
E mira nuk tregohet. Ajo të kthehet ne jetë e të përmëndet pas vdekjes. Çudi në fakt si figurat më të ndritura shqiptare kanë luftuar më shumë kur ishin jashtë. Ndoshta prej qetësisë, që sjell reflektim dhe jep komoditetin e gjykimit të ftohtë.
Në disa zgjedhje nuk duhet dëgjuar zemra. E në të tjera nuk duhet ndjekur mendja. Unë vetë si prind nuk di nëse fëmija im meriton lirinë e shkëlqimin e Europës apo dashurinë e gjyshërve dhe sigurinë e identitetit që jep gjaku.
Unë i pata të dyja. Në kohë të ndryshme. Me kosto të ndryshme. Ndaj, është e trishtë të jenë krahët e kundërt të së njëjtës peshore.