Shumë prej jush më njihni nga shkrimet e mia në Përgjumësh, ose prej shkrimeve në Anabel, ku kam punuar për 2 vite. Pra me pak fjalë, nëse më keni ndjekur dhe meqënëse më pëlqen të mburrem për këtë, e dini se unë kam mësuar të shkruaj që 3 vjeçe dhe poezinë time të parë e kam shkruajtur që 6. Ju e dini se letërsia ka qenë dhe mbetet një pjesë shumë e madhe e jetës sime. Ajo që ndoshta pak prej jush e dinë, është se unë kam takuar personalisht shkrimtarin më të celebruar të letërsisë moderne shqipe, Ismail Kadare.
Arsyeja pse nuk kam dashur ta tregoj, është pikërisht bezdisja që më krijojnë kohëve të fundit njerëzit që takojnë Ismail Kadarenë dhe bëjnë shkrime, madje shkruajnë edhe libra, për takimet me Kadarenë. Dhe meqenëse nuk dua të tingëlloj patetike, po e justifikoj këtë rrëfim duke e motivuar me mosbesimin që kanë shprehur në përgjithësi njerëzit, kur u kam treguar se kam takuar Kadarenë, dhe se ai më ka shprehur pikërisht këtë: “Je e talentuar”.
Së pari: Kadareja nuk është aq i vështirë për t’u takuar. Po të mos ishte çështje privatësie, do t’jua tregoja se ku mund ta takoni, fare lehtësisht, me pak durim. Por mua më pëlqen të respektoj privatësinë e të tjerëve, edhe pse Kadareja vetë ka botuar një libër i cili titullohet fjalë për fjalë: “Mëngjeset në Kafe Rostand”.
Gjithsesi, unë sigurisht nuk e kam takuar në Paris. Isha në vitin e dytë në fakultet kur u njoftua se i madhi do të ishte i pranishëm tek Panairi i Librit, për të promovuar një botim të ri (s’e mbaj mend dhe përtoj ta kërkoj). Thelbi i kësaj është se unë, bashkë me shoqen time të fakultetit, Erla Velaj, e pritëm gjatë atë ditë Kadarenë që të na firmoste librat tek stenda e Onufrit, mirëpo ai nuk erdhi.
Dhe meqenëse ishim vetëm 19 vjeçe dhe e kalonim jetën duke ngrënë, fjetur dhe duke u zgjuar mbi libra, vendosëm që të shkonim ta takonim Kadarenë aty ku shkonte çdo ditë për të pirë kafenë e mëngjesit pra, tek vendi që e dinë që të gjithë se i madhi shkon, megjithatë unë s’kam ndërmend t’ia nxjerr emrin për çështje privatësie.
E pritëm ndonja një orë, derisa pamë siluetën e tij disi të kërrusur nga mosha dhe njëherësh, plot vetëbesim, tek afrohej drejt lokalit ku kishte vetëm një tavolinë, e jona, i shoqëruar siç na kishin paralajmëruar nga botuesi i tij në Shqipëri, Bujar Hudhri. Për të mos i rënë shumë gjatë, ne iu afruam dhe i kërkuam me mirësjellje të na firmoste faqen e parë të librave që kishim blerë, dhe ai më shpjegoi se romani që kisha zgjedhur unë, “Qyteti pa reklama”, ishte i pari fare që kishte shkruajtur.
Mund ta kisha lënë me aq por, duke m’u dridhur duart (tani këtë detaj s’e mbaj mend, por njoh veten), i dhashë një poezi timen të printuar duke i thënë: “Po ta jap thjesht sepse dua t’i lë një poezi Kadaresë, se sidoqoftë ne nuk do të shikohemi më që të më japësh përshtypjet”. Sigurisht, unë shkova përsëri tek vendi emrin e të cilit nuk e themi për çështje privatësie, sepse doja të merrja përshtypjet.
Ndodhi pak a shumë kështu: Ne shkuam për here të dytë pas disa ditësh, e pritëm pak, dhe kur ai erdhi i shoqëruar nga botuesi i tij, në vend që të ulej aty ku kishin në plan të uleshin, u afrua kah ne dhe si u përshëndetëm më tha: “Unë e lexova poezinë tënde.”, dhe kërkonte poezinë time nëpër xhepa, “Je e talentuar”. Si e gjeti, më veçoi madje edhe një varg, i cili i kishte bërë përshtypje për kontrastin që kisha përdorur. (Poezinë do e publikoj më vete, për të krijuar pak suspansë).
Unë shtanga aq shumë, saqë harrova se mund të ftoja shkrimtarin shqiptar më ikonik të kësaj kohe, të ulej për të pirë një kafe. Sidoqoftë, botuesi i tij më ftoi që të shkoja ta vizitoja tek shtëpia botuese, për të “përpunuar floririn që Kadare kishte zbuluar mes rërës së fjalëve të mia” (apo diçka e tillë).
Unë shkova dhe i vizitova, por siç ndodh ndonjëherë, kjo periudhë e ëndërrt kur vetë Ismail Kadare vlerësoi talentin tim, u pasua nga një tjetër shumë e vështirë, e cila më shtyu të largohesha nga gjërat që doja më së shumti: letërsia dhe jeta.
Sot, kur jeta ime ka marrë një rrjedhë krejt tjetër nga letërsia, sa herë që kam ndonjë pasiguri, i kthehem këtij kujtimi të mrekullueshëm që më dhuroi Kadare- dhe sigurisht guximi im- dhe vetëm ndjesia e atyre ditëve të bukura si një përrallë, më bën të ndihem më mirë.
Gjithashtu, mendoj se kur gjërat bëhen kaq të prekshme, siç është për ne Ismail Kadare, njerëzit priren t’i zhvlerësojnë ato. Dhe unë nuk doja që ky takim kaq i vyer për mua, të zhvlerësohej për asnjë arsye.