Të hënën hyri në fuqi rregullorja e re në lidhje me masat e situatës së pazakontë të pandemisë, e cila na lejoi të qëndrojmë jashtë deri në oren 22:00. Kjo dhuratë e mrekullueshme prej 2 orësh më shumë që të bredhim, të këndojmë e të lodrojmë, ishte gjithçka duhej për shqiptarët në fillimpranverë. Kur shikon sa të shkujdesur jemi bërë për masat bazike të mbrojtjes ndaj COVID; nuk mbajmë maska; grumbullohemi ku dhe sa të mundemi pa ruajtur distancën; kujtimi i prillit të kaluar kur mezi dilnim nga shtëpia për të blerë bukë duket si një ëndërr e largët, edhe pse ishim vetë ne ata që asokohe shikonim ëndrra me përbindësha dhe lugetër.
Megjithatë, për shumë njerëz të cilëve kishte kohë që këmba s’u prekte tokë me dy- tri punë, ai mars kur qeveria vendosi se ishte më mirë të karantinoheshim, qe një bekim i madh. Shumica prej atyre që njoh unë që u gëzuan, janë gra të cilat kushedi sa javë kishin pa parë fëmijët e tyre. Lockdoën-i nuk na ndihmoi ta largonim COVID-in, por disave prej nesh u bëri dhuratën e mrekullueshme të kohës, tanimë jo për ta shfrytëzuar në shërbim të të tjerëve, por për vete.
Një vit më vonë dhe ne po lutemi të kemi më tepër liri. Liria për ne do të thotë padyshim hapësire, ama kjo vetëm për ata njerëz të cilët e kanë luksin të udhëtojnë. Për pjesën tjetër, siç thonë edhe disa meme, pandemia është vetëm një justifikim se përse nuk i kalojnë dot këto pushime në Bali apo Abu Dhabi. Kështu, liria për ne do të thotë më së shumti, kohë. Veçanërisht sepse mes orareve të punës dhe atyre të qejfit mbetej shumë pak kohë, hapja deri në 10 qe një lajm i mrekullueshëm.
I cili erdhi në prag të zgjedhjeve të prillit. M’u kujtua një grua, të cilën e ftuam të publikojë në “Përgjumësh” një shkrim me tone shume elegjiake për Edi Ramën, të cilit nuk i referohej si “Edi Rama” por vetëm me inicialet: “ER”. Unë ndryshova mendje pikërisht prej kësaj, pra sepse me leximin e dytë shkrimi m’u bë tejmase patetik dhe i pamotivuar. Për më tepër, “ER” më kujtoi Harry Potter-in, ku Voldemortit nuk i thërrisnin kurrë në emër por i referoheshin si “Ti e di kushi”. Zonja e inatosur, na tha se nuk do ta harronte kurrë se Përgjumësh është nje blog i cili “ka frikë”, por në fakt unë mendoj se frikë kishte ajo, përsa nuk i thoshte dot as emrin.
Sido që të jetë, kjo situatë më bëri të mendoj sesa e rëndësishme është koha që ne u kushtojmë njerëzve dhe se çfarë ata bëjnë me të. Sigurisht, këtë kohë ne ua dhurojmë me sasi të mëdha edhe politikanëve, qoftë kur u dedikojmë atyre reshta, ashtu edhe sa herë votojmë dhe shumatorja e gjithë kohëve tona në kutitë e votimit, bëhen bashkë për t’u dhënë atyre dhuratën e epërme të 4 viteve.
Këtë dhuratë ata nuk na e kthejnë kurrë mbrapsht. E megjithatë, ajo mbetet një dhuratë e vyer, e rrallë dhe e paçmuar. Mund të çmohet në lek, siç kanë bërë deri më tani duke marrë nga lekët tona për t’i futur në xhepat e tyre, por kurrsesi nuk mund të çmohet me më shumë kohë. Koha nuk rekuperohet. Prapëseprapë, ne vazhdojmë pambarimisht të mbështetim të njëjtën klasë politike duke u dhënë atyre më shumë kohë nga vitet tona. Dhe befas, shumëkush e ka gjetur veten në pleqëri, në mendjen e vet triumfues ndaj sfidave të vogla të jetës, si nevoja për të siguruar punë duke e këmbyer atë me votën e cila ka vlerën e 4 viteve, por përgjithmonë të mposhtur nga koha, të cilën nuk ka mundur ta përdorë në të mirën e vet dhe të fëmijëve të vet. Prandaj në këto zgjedhje është shumë e rëndësishme të ndalemi dhe të mendojmë se çfarë duam të bëjmë me 4 vitet tona të ardhshme. Të vazhdojmë t’u japim kohë nga jeta jonë të njëjtëve të cilët nuk kanë bërë me të asgjë më shumë sesa ta përtypin dhe ta hedhin tej si çamçakëz, apo të zgjedhim ata më pak të pushtetshëm, të cilët ende nuk e kuptuar se koha jonë mund të vidhet njësoj si paratë e tenderave? Zgjedhja për ne është shumë e vështirë.