Për të gëzuar Vitin e Ri

Në një nga postimet e fundit përpara se të mbyllja instagramin (si nevojë urgjente për të jetuar plotësisht jetën e vërtetë) një shoqe kishte postuar një nga dhuratat e marra për Krishtlindje.

Një album fotografish me titull “Into the wild”.

Në Universitet jemi marrë një semestër të tëre me këtë temë. Less is more, u shndërrua në fenë tonë të vetme. Koncept i pa dëgjuar për mua më parë, i cili pasi më ndryshoi bindjet e deriatëhershme, më tregoi, që sado të pavarur të jemi, kemi nevojë për orientim. 

Për një orientim me O të madhe, që të na çorientojë. 

Larg nga kanceri global (e kam të vjedhur këtë nga një tjetër shoqe) që na shet shprehje, fëmijë të marketingut, në vend të poezive, duke e bërë kurban edhe të fundit neuron të ngelur pa shpëlarë nga lavazhi i quajtur MEDIA SOCIALE. (Fronin e mban Rupi Kaur, me bindjen e plotë dhe modestinë e zeruar, që më jep e drejta ime si lexuese, jo pozita ime prej dikujt që ka botuar një libër me poezi).

Nga i gjithë cikli i studiuar e kaluar në sitë, me debate jo të shkurtra me kolegët, mbi librat dhe filmat e gjithshka ka prodhuar mendja njerëzore lidhur me këtë temë, meriton ndalesë (e pa vetëdije e bëj shpesh) “Walden” i Henry David Thoreau. 

Ky zotëri për ta shkruar këtë thjeshtësi të madhërishme, shkoi të jetonte në një pyll, pranë liqenit, që i ka dhënë titullin veprës, ku midis shumë të tjerave, tregon se gjithshka përdorte, hante dhe vendin ku jetonte e kish bërë me duart e tij.
E kjo përveçse nuk e shndërroi atë në një “njeri të egër” e bëri shumë më të mënçur dhe produktiv. Tipare, që sot janë shndërruar në luks. (Dhe pse izolim e kohë për reflektim 2020-a degdisur me ngulm mga mediat, në rrethin e fundit të Ferrit, ofroi me tepri)

Thënë kjo, nuk pres që ti që po lexon, të marrësh sëpatën e të shkosh në Lurë (mbi të gjitha se aty s’ka më pemë), por minimumi, nëse përton të shkosh deri në bibliotekë, të gugëllosh e të lexosh dy rreshta nga Henri. 

Ku i dihet, mund të gjesh aty një detox çudibërës me hithra.

Nga ato lloje që djegin barërat e ligj të servirura për alga, në “Sushin” e fundit të ofruar në të vetmen pjatë ku hamë të gjithë duke matur me vetëdije kohën tonë me gram’.