Jo për të qenë pesimistë, por le ta pranojmë se secila kulturë ka prirjet e veta artistike dhe le të themi se eleganca që tregoi Gjon’s Tears në skenën e Rotterdam-it javën e kaluar, nuk hyn tek tonat.
Pra, nëse keni vrarë mendjen se ç’do ish bërë me artistët tanë të talentuar që i mori bota, ne përpiqemi t’ju shuajmë kurreshtjen.
Gjon’s Tears
Emri i artit: Xhon Corleon
Pasi do kishte tentuar të merrte pjesë tek Festivali i Këngës 4 herë radhazi çdo herë i refuzuar, Gjon Muharremi do të kishte marrë pjesë tek të rinjtë e Kënga Magjike me një këngë të bërë vetë, por me produksion pak gjenerik me elemente të theksuara ballkanike. Këtu do kishte rënë në sy si djalë i veçantë, por Olti Curri do t’i kishte thënë se ka nevojë të punojë me vetëbesimin kurse Jonida Maliqi do ta kishte kritikuar për notat falset pasi sipas saj, do ishin tepër të zbardhura.
Megjithatë, Gjoni do kishte dalë në finale një vit më vonë dhe pas dekadash në skenë, ndoshta edhe ai do të merrte një çmim të parë si Redon Makashi apo Mariza Ikonomi (kur ta marrë). Ama fundjavat do i kishte full nëpër live-t e Tiranës.
Dua Lipa
Emri i artit: s’Dua
Pasi mësuesja e muzikës do i kishte thënë: “Ti s’bën për këndim”, Dua do kishte marrë pjesë tek The Voice, ku do t’i ishte dridhur zëri nga emocionet dhe do t’i ishte kthyer vetëm Genc Salihu për timbrin. Dua do e kishte fituar pak nga pak besimin në skenë, por shijet e saj muzikore do ta pengonin në fillimet e karrierës, kur do të dilte me rryma eksperimentale që s’do t’i kuptonin çunat e lokalit poshtë shtëpisë së saj tek Tregu Elektrik.
Por shpejt, Dua Lipa do të tërhiqte vëmendjen e Bojken Lakos i cili do ta rekrutonte tek Bulza dhe, pas katër këngëve interesante për tek Tulla Nouvelle, do të bënte dhe ajo një remake të ndonjë kënge popullore shqiptare në duet me një Buta-type rapper. Pas kësaj, do t’i vinin ftesa nga reperet e njohura të Kosovës dhe do të bënte tre bashkëpunime me tematikë forcën e femrës. Gjithashtu, do të bënte operacion gjoksin, flokët do t’i mbante të gjata kurse makeup-in do ta bënte te Sellma. Pas nja 20 vitesh, do bënte dhe një EP me Pirro Çakon ose Armend Rexhepagiqin, por s’do t’i ecte shumë sepse Elvana, Tuna dhe Xhensila do ta kishin bërë para saj.
Gjithsesi, do ishte goxha e kërkuar nëpër club-e por këtu do e ftonin për warm up para se të vinte Kida ose Tayna.
Bebe Rexha
Emri i artit: Bibi
Ngaqë ka kushërirë Monika Kryemadhin, Beben do ta shikonin me paragjykim dhe të gjithë do thonin se “është aty ku është prej LSI-së”. Gjithsesi, ajo do t’i fitonte të gjitha festivalet për fëmijë dhe do të merrte pjesë dhe tek Kënga Magjike me këngë nga Darko Dimitrov. Pastaj, do të provonte të bënte këngë dhe vetë dhe do të shkruante tekste dhe për Aurela Gaçen me tematikë forcën e femrës. Aty nga mosha 28 do ta fitonte Këngën Magjike në një bashkëpunim me MC Kreshën.
Gjithashtu, do të njihej si “buçkoja” e skenës shqiptare por pas vendosjes së balonit gastrik, do të binte 15 kile brenda 3 muajsh. Juri e përhershme e spektakleve të Grabockës.
Ermal Meta
Pas disa pjesëmarrjeve në Top Fest, Ermal Meta do të kuptonte se roku në Shqipëri ka vdekur dhe do hiqte dorë nga muzika. Me diplomën e ekonomikut do të fillonte punën te Deloitte me rrogë “të mirë” 600 mijë lek (te vjetra por neto ama). Me të dashurat e veta okazionale do të frekuentonte shpesh Kinon dhe Tullën. Për qejf pas ca vitesh mungesë do bënte një bashkëpunim me Renis Gjokën. Do blinte shtëpi tek Liqeni i Thatë dhe pushimet do t’i kalonte në Dhërmi.