Studimet thonë se
Ne, njerëzit, nuk jemi aspak origjinalë!
Dhe ta mendosh…
Sa shumë na gënjen mendja
Të bindur se
ndërgjegjja është aseti ynë më i madh.
E vërteta është se
Ne, nuk jemi veçse copëza,
memorie,
të kush e di sa viteve dritë larg.
Ja, për shembull unë
Unë jam një grimcë e papërfillshme e Andromedës.
Një stuhi e fortë
më shkëputi nga spiralja veshtullore ngjyrë deti,
dhe më solli në tokë!
E kam ditur fatin tim,
që kur orakulli Amon tha se
vetëm sakrifica e një virgjëreshe,
lidhur brigjeve shkëmborë të ishullit
mund ta shuajë urinë e dragoit të detit.
E di edhe prej rimave të poetiti Ovid,
që nuk humbiste rast
për t’i përkëdhelur egon
Augustit perandor.
Edhe nga rilindasit,
që mes kodeve misterplota
më zografisën afreskeve kishtare.
Ndërsa ti,
ti duhet të jesh një grimcë e Orionit.
E kam të vërtetuar,
Sepse ti dukesh si një mjegull
e shkaktuar nga një ciklon psikodelik.
Dhe jo vetëm kaq…
Sumerët ta kanë dalluar shkëlqimin që nga brigjet e Tigrit,
Homeri të vuri në sytë e Uliksit
kur u reflektove ujrave të Egjeut.
Mandej, edhe ty si mua
Ovidi të përmend në “Librin e Ditëve”.
E megjithatë,
prapë kjo nuk na bën origjinalë.
Na bën thjesht memorie,
kujtime të ngurtësuara,
në tabelën e Mendelejevit,
të cilat, në kontak me H2O-në krijojnë,
kristale,
gaze,
e në fund shiun.
Formë fluide kjo,
që na i bën lëmsh idetë!
Ama, them se kam bërë një zbulim!
Ekziston vetëm një milisekondë,
kur ne mbyllim në një kapsulë
të gjithë origjinalitetin tonë.
Është fiks momenti kur,
ne i lejojmë vetes
kohezionin e dy galaksive.
Fiks në çastin e dashurisë,
kur të gjitha teoritë
mblidhen, shtrëngohen, puthiten, aq sa…
të mund të shpërthejnë miliarda dijej!
Duke iluzionuar edhe adhuruesit e Shën Lorencit,
se medemek yje bien
për të plotësuat dëshirat e vdekatarëve!
Hmm, sa qesharake!
Ky pra është i vetmi çast,
kur ne jemi unikë!
Sepse unikë
na bën veç dëshira
për të eksploruar një tjetër galaksi.
Hej!
Thuaji Ovidit,
ky po që ishte takim!
Për pjesën tjetër, asgjë origjinale…
Wendy Morava
Tiranë, nëntor 2021.
Shkruar në “Botanica”