Në NBC, nuk do të ketë ceremoni Golden Globes 2022. Të hënën, “Deadline” njoftoi se kanali NBC nuk do të transmetojë Golden Globes vitin e ardhshëm, për shkak të një sërë gabimeve shumë publike të bëra nga Shoqata e Shtypit të Huaj Hollywood (HFPA), e cila ka shkaktuar debate për mungesën e përfshirjes mes anëtarëve të saj (siç është mungesa e anëtarëve me ngjyrë), si dhe sjelljet jo-etike të tyre.
“Ne vazhdojmë të besojmë se HFPA është e përkushtuar për një reformë domethënëse”, tha NBC, që ka transmetuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve Golden Globe që nga viti 1996. “Sidoqoftë, ndryshimi i këtyre përmasave kërkon kohë dhe punë, dhe ne e ndiejmë se HFPA ka nevojë për kohë për ta bërë atë siç duhet. Duke qenë kështu, NBC nuk do të transmetojë Golden Globes 2022. Duke supozuar që organizata e zbaton këtë plan, ne shpresojmë se do të jemi në gjendje të transmetojmë shfaqjen në janar 2023. “
Golden Globes 2021, organizuar nga Tina Fey dhe Amy Poehler, morën vlerësimet më të ulëta ndonjëherë. Fryma kundër Golden Globes dhe HFPA arriti kulmin të enjten, 6 maj, kur anëtarët e HFPA votuan në favor të një plani për të reformuar organizmin e saj dhe trupën e votimit, me synimin për të rritur anëtarësinë e saj me 50% në 18 muaj. Ky plan mori kritika të shumta për faktin se nuk ishte mjaftueshëm i shpejtë dhe as me të vërtetë efektiv, duke sjellë që edhe shefi i kontentit të Netflix, Ted Sarandos, të njoftonte se Netflix do të ndalojë bashkëpunimin me HFPA derisa të bëhen ndryshime thelbësore. Ky shembull u ndoq edhe nga drejtuesit e WarnerMedia – shtëpia e HBO, HBO Max, Warner Bros. Pictures, Warner Bros. Television, TNT dhe TBS –të cilët i dërguan një letër publike presidentit të HFPA, Ali Sar, duke shpallur largimin e shfaqjes nga kompanitë e tyre.
Një valë të famshmish gjithashtu janë shprehur kundër HFPA, duke përfshirë fituesin e Golden Globe, Mark Ruffalo dhe të nominuarën për Golden Globe, Scarlett Johansson – të cilët kanë kritikuar organizatën dhe inkurajuar kolegët e tyre të tërhiqen nga Golden Globes. Argumenti i Johansson kundër Globes i referohej “pyetjeve dhe vërejtjeve seksiste nga disa anëtarë të HFPA që kufizoheshin me ngacmime seksuale”, ndërsa Ruffalo tha se “nuk mund të ndihet krenar ose i lumtur për të qenë fitues i këtij çmimi [Globi i Artë]”. Tri herë fituesi i Globit të Artë Tom Cruise u bashkua me korin e kritikëve të Globes në mënyrën e tij, duke shkuar një hap më tej; thuhet se i ka kthyer tre statujat e tij në selinë e HFPA.