Anahi po sjell një linjë produktesh kozmetike nën emrin An Makeup. Prej ditësh, këngëtarja dhe aktorja paralajmëron në Instagram-in e saj publikimin e markës së saj të bukurisë, teksa njëherësh promovon turin e rikthimit të RBD, grupi i cili në mesin e viteve ‘2000 e bëri fytyrën dhe zërin e saj të njohur në të gjithë botën.

E identifikuar shpesh si Mia Colucci, siç është emri i personazhit të saj tek seriali i famshëm “Rebelde” i cili marrosi adoleshentët shqiptarë në 2009-ën, Anahi po sjell edhe një paletë me emrin Mia, një lajm i shkëlqyer për të gjithë nostalgjikët.

Lajmi për rikthimin e RBD në një tur botëror gëzoi miliona fansa të tyre të cilët, edhe pse tanimë në moshë mjaftueshëm madhore sa për të mos shpenzuar kaq shumë për një grup pop-i për adoleshentë, ia dolën t’i zënë të gjitha vendet për koncerte në disa arena.

Ata publikuan edhe një këngë të re, të quajtur “Siempre he estado aqui” (Gjithmonë kam qenë këtu) si një tribut për fansat që kurrë s’i braktisën.