Më falni, por këtë herë do tregohem shumë cinike. Albi Nako ka shumë të drejtë. Koreografi i cili shprehu seksizëm, diskriminim moshor, dhe e krahasoi konkurrenten 40- vjeçare të “Just Dance” me një personazh të “Planet of the Apes” (“Planeti i Majmunëve”), ka shumë të drejtë kur thotë se vetëm në këtë mënyrë mund të tërhiqet vëmendja e shikuesve të televizioneve shqiptare. Reagimi i tij sot në Top Albania Radio, i ftuar tek “Live From Tirana” u mbështet madje edhe nga vetë konkurrentja Bela, e cila pohoi fjalët e koreografit se ata njihen prej 2 dekadash, duke shprehur madje edhe admirim dhe mirënjohje të thellë karshi njeriut që i tha të shkojë të bëjë fëmijë në një prej televizioneve më të mëdha shqiptare. Bela ishte mirënjohëse që Albi diskriminoi jo vetëm Belën, por gjithë 40- vjeçaret shqiptare, vetëm e vetëm për t’i dhënë asaj vëmendjen e kërkuar. Dhe unë nuk po tallem kur them se kanë shumë të drejtë që të dy.

Më erdhi në mendje kur po lexoja portalet se, nëse Loredana e akuzuar për mashtrim dhe për zhvatje, u bë më e paguara nga të gjitha, ç’të keqe ka që Bela e cila ka një jetë që kërcen, po është edhe kampione aerobie, po dhe vajzë e thjeshtë, po kërkon të bëhet e famshme edhe ajo? Kostoja e vetme për famën e Belës fundja, janë një dyzinë me gra 40-vjeçare të cilat dje mund të kenë vendosur përfundimisht t’i presin flokët model kapelon, simboli i kahershëm i grave shqiptare të dorëhequra nga jeta. E kujt i ka plasur ndonjëherë për gratë me model kapelon?! Të paktën, Bela nuk po frymëzon asnjë të ri të zhvasë e të mashtrojë, se në fund të ditës të gjitha harrohen, ose përkundrazi; njerëzit duket sikur e vlerësojnë më tepër dikë që ka guxim të zhvasë e të shtiret si hiçmosgjë sesa dikë si Bela, që në fund të fundit s’i ka rënë në qafë kujt. Prandaj them se Albi ka të drejtë. Është si ajo thënia e famshme e Biblës: Kush nuk ka klikuar një video nga “Përputhen” vetëm nga titulli skandaloz, t’i hedhë Albit një gur. Unë e di që ju jeni, bashkë me mua, një nga 2 milionë shikimet e videos së Shqipes ulëritëse.
Sigurisht që e gjithë kjo qe ironike; shyqyr, shyqyr edhe ne e mësuam ç’është seksizmi dhe tani kakarisim lirisht pas çfarëdolloj gabimi etik nga ana e figurave publike. Por, sa të sinqertë jemi?
Besomëni, në media gjithçka rrjedh njësoj edhe pas skandaleve të tilla; ngacmimet seksuale aty janë, rroga ime është akoma vetëm gjysma e rrogës së kolegut tim djalë, madje edhe kur ky ka një pozicion të një kategorie më të ulët. Dhe po, ka shumë diskriminim moshor. Këtë nuk e ndryshojnë dot shkrimet e portaleve, aq më pak ky shkrimi im prej gruaje të inatosur me shoqërinë dhe me jetën, ose, siç I biem tani për shkurt, “feministe”.
Dhe së fundi, televizionet vazhdojnë transmetojnë vetëm skandale, pasi vetëm të rinj skandalozë, me sjellje skandaloze, dhe vetëm pjestarët e jurive që bëjnë sherr merren në punë. Kjo është e vërteta e vetme që për mua, s’e luan as Topi, as Klani. Të tjerat janë deluzionale.