Në vend të “Christmas Carol”

Mbyll sytë dhe imagjino një shtëpi ku fëmijët vrapojnë me copa brumi në dorë të marra fshehtas nga mami. (Hyr po deshe në kujtimet e tua)

Nëna ka ardhur që në mëngjes për të ndihmuar punët e festave.

Në ajër lundrojnë aroma që ndihen një herë në vit. Arrë, kanellë, mollë të pjekura, lëkurë portokalli.

Por sot, gatuhet gjeli me kulaç si çdo fund viti. 

Receta e thjeshtë me përbërës bazikë por që ecën hapat e fëmijërisë së 90 Krishtlindjeve më parë.

Jashtë kujtimeve në Krishtlindjen e 2020-ës, në kuzhinë i kam të gjitha. 

-Mishin e pulës/gjelit

-Miellin

-1 Kokërr qepë

-Kripë

-Sodë

-Nenexhik

Pas 10 vitesh pa Përshesh, në një tepsi përziej miellin , ujin, 1 lugë kripë, 1 lugë sodë, për herë të parë në jetën time. 

Brumi duhet pak i fortë. Duhet punuar pak me duar dhe pasi shtrohet ne tepsinë e lyer me vaj ulliri, i bëj vrima te vockla me pirun dhe e pjek në furrë për 40 minuta në 180 gradë.

Pasi e kam hequr e mbështjell me nje copë të butë dhe e lë të pushojë. 

Ndërkohë qepën e grirë hollë e skuq në vaj ulliri me copat e qëruara të mishit të pulës se zier paraprakisht dhe shtoj pak nga pak kulacin e grire ne copa. 

Shtoj kripë, nenexhik dhe trazoj pa ndaluar.

Në fund shtoj lengun e gjelit sa të zbutet kulaci pa e tepruar që të mos squllet. Është gati për ta shijuar edhe pa e shoqëruar me gjë tjetër. 

Nuk mund ta ftoj gjyshen. Nga larg vetëm nje fotografi. Ajo buzëqesh. Unë buzëqesh. Krishtlindjet morën aromën e shtëpisë. Shtëpia aromën e dashurisë.