Thonë se kohët e vështira na japin mësimet më të rëndësishme. Nuk do t’i hiqja asnjë nga presjet që kjo shprehje nuk i ka, pasi ky qe viti më i pamëshirshëm por njëherësh, më kuptimploti- së paku në ditarin tim.
Vitin e kaluar tek blogu im publikova një shkrim në lidhje me mësimet që më kishte dhënë 2019-a, pasi fakti që rishtas kishte ndodhur një tërmet i cili më mori shtëpinë më dukej kushedi çfarë. Kujt ia merrte mendja se fiks një vit më vonë, do të infektohesha edhe me sëmundjen e shekullit dhe madje, do ta kaloja. Pas gjithë këtyre, një luftë e tretë botërore nuk do të ishte çudi, kështu pra para partizanë, se jeta paskërkësh qenë vërtet e vështirë dhe plot të papritura, me gjithë pathosin e reklamave për telenovelat turke. Megjithatë, ja ku jam, duke dhënë sërish pak shndërritje nga mendja ime brilante, përndryshe mësime të vyera nga jeta e një 20- e- nuk e themi më sa- vjeçareje në kryeqytet.
Ndërsa 2019-a më mori shumë dhe më dha diçka të cilën e prisja prej kohësh, 2020-a më gjeti duarbosh, zemërzbrazur dhe shpirtkazëm- po po, pikërisht shpirtkazëm- me një etje të pashpjegueshme për famë dhe para, porse me një mungesë të pavetëdijshme për dashuri dhe mbështetje. Kështu nisi, kurse fundin nuk po ua spoil, pasi për pak thashethem jetoj edhe unë.
- 2020-a më mësoi se asgjë nuk është përgjithmonë e jotja
Në 2019-ën përmbusha një prej ëndrrave të mia që kur isha fëmijë; të kisha një emision timin, kurse këtë vit m’u desh të luftoja sërish me këmbëngulje për të patur diçka për të cilën të punoja me mish e me shpirt, pasi fundja ky është i gjithë qëllimi. (Jam thelbësisht e pavarur; për mua më e vlefshme është të kem diçka timen sesa të ndaj diçka të madhe.
Kuptova se sa e rëndësishme është jo vetëm të punosh, por të punosh për të mbajtur gjërat të cilat i fiton me mund, pasi ato mund të rrëshqasin fare kollaj nga duart. Kjo gjë më ndodhi edhe mua; nga një yll në ngjitje, isha një yll i rënë, pa patur akoma momentin tim të shkëlqimit të plotë. Ishte zhgënjyese padyshim. Sidoqoftë, më besoni kur ju them se njeriu përshtatet me çfarëdolloj situate, pasi psikeja jonë është e ndërtuar në mënyrë të atillë që e gjen gjithmonë rrugën për ta pranuar realitetin si të vijë.
- Të gjithë, edhe armiqtë e tu më të urryeshëm, duhet t’i kuptosh
Viteve të fundit kam patur përvoja mjaft të hidhura me disa njerëz të njohur në media. Një dizajnues i njohur veshjesh më akuzoi se kisha shkruar artikuj nga këta “anonimët” kundër tij; një prezantuese e njohur më akuzoi se i kisha bërë pyetje tendencioze gjatë përurimit të librit të saj; një opinionist famoz më kërcënoi se po të hyja në gojën e tij, do të pendohesha; e të tilla ngjarje të zakonshme nga jeta e një gazetari. Duke qenë natyrë jashtëzakonisht e butë me të tjerët (cilësi të cilën ia kam atribuar përherë edukimit më përmetar sesa duhet) për mua reagime të tilla kanë qenë krejtësisht të pakuptueshme. Kështu që sa herë bëj debat me dikë, pësoj një shok të vogël, i cili sigurisht pasohet nga të qara dhe pastaj një super mega makeup të nesërmen në mëngjes.
Të tilla ndodhi të çuditshme në media ndodhkërkan shpesh, përveçse më kanë bërë të kuptoj se ka diçka që nuk shkon me ambientin ku punoj, gjithashtu më kanë detyruar të tregohem më mendjehapur për të kuptuar nga po flet tjetri. Reagime jo- normale të këtij soji tregojnë padyshim një nivel shumë të lartë stresi dhe sigurisht, paranoje, e cila nuk ka si të jetë vetëm faj i vetë personit, por edhe i ambjentit që e rrethon. Kam patur edhe unë ato ditët e mia, kështu që s’kam si të mos e kuptoj dikë i cili kërkon shpjegim për një padrejtësi që i është bërë, dhe ia vë fajin të parit që gjen dhe që i duket më i dobët.
Sa herë gjykojmë të tjerët, aq më tepër ata të cilët na cënojnë ne personalisht, priremi të jemi jashtëzakonisht subjektivë duke u nisur nga një këndvështrim sipas nesh më superior. Pa dashur të tingëlloj si Krishti, nëse nuk përpiqemi vazhdimisht të kuptojmë tjerët, bota tanimë do ishte bërë çorap dhe të gjithë do të ishim në luftë. Më shumë se kurrë, këtë vit kam mësuar të fal ata të cilët janë treguar të padrejtë me mua, pasi hakmarrja është një ndjesi tmerrësisht e rëndë për ta mbajtur me vete kudo që shkon.
- Bëje mirë, bëje bashkë
Në dhjetor të 2019-ës, unë dhe Hersi shkuam të takojmë Ervin Gjikën, drejtues i Creative Point, për ta kthyer Përgjumësh në një sajt të mirëfilltë. Ishte ideja e Hersit dhe e bashkëshortit të saj, Jacopo, për të sjellë në jetë një media të vogël por të sinqertë, pa ndonjë lakmi për ta bërë atë median më të lexuar në trojet shqiptare, pasi askush prej nesh nuk do të përshtatej kurrë me standartet e vendosura nga Jeta Osh Qef. Ideja jonë ishte thjesht dhe vetëm të kishim një vend për të shprehur mendimet tona, pa u censuruar nga asgjë.
Si fëmijë i shkrimit dhe i leximit, idenë për të hapur një media e kam patur që kur isha 7. Madje, në fillore pata krijuar edhe një revistë me fotokopje të cilën e shisja nëpër klasë dhe me thënë të drejtën, nuk eci edhe aq keq për ato 3 muaj të shkurtër e të lavdishëm që u botua.
Mëgjithatë, jam e vetëdijshme se vetë, një media nuk do ta kisha hapur dot kurrë. Muaj më vonë, kuptova se qëllimi i Hersit nuk ishte që të hapte një media, porse të hapte një media për mua, pasi motrat këtë bëjnë. Edhe pse me shumë vonesë, Përgjumësh u hap më në fund pas 1 viti bisedimesh dhe tanimë, të gjithë ne jemi mëse të lumtur të postojmë artikuj origjinalë, krejtësisht origjinalë, sa herë na jepet mundësia. Përgjumësh është vendi ku ne jo vetëm shprehemi, por mbi të gjitha është një hapësirë e përbashkët dhe e pacënueshme lirie.
- Shpirti nuk këmbehet me dollarë
E pra, e thashë edhe unë klishenë më të famshme të njerëzimit. Shpirti nuk ka çmim. Sado plot t’i kesh xhepat, kur vjen puna mund ta kesh bosh bankomatin dhe të nesërmen ngelesh me gisht në gojë (lol).
Tani seriozisht; vjen një kohë në jetë, kur buka integrale nuk t’u dukërka më aq ekzotike dhe kur të ngrënit jashtë çdo darkë ta shpifka me tërë mend. E është pikërisht në këtë kohë, kur ti fillon të kuptosh se qenke grindur kot gjithë këto kohë për pak jetë luksi dhe se asgjë nuk e zëvendëson të qenit në çastin e duhur, në vendin e duhur dhe mbi të gjitha, me njeriun e duhur.
Kësisoj, miqtë që kam tani, mendoj se mund ta them pa frikë se janë miq prej vërteti. Kjo do të thotë, se prania ime në jetët e tyre apo e tyrja në timen nuk ndikohet nga rrethanat, pozita apo interesat e përbashkët. Ky është një nga ato bekime që vijnë prej përvojës. Tanimë, për mua nuk është aspak e rëndësishme se ku shkoj dhe çfarë vere pi, por mbi të gjitha me kë e pi gotën e verës. E ndërsa për shumë kjo duket e pabesueshme, për mua është një prej ndryshimeve për të cilët i jam më së tepërmi mirënjohëse këtij viti. Plus, të kursen goxha para 😉
- Dashuria, si çdo gjë tjetër, duhet kërkuar me ngulm
Nuk dua t’ia vë fajin askujt kur them se ne, vajzat shqiptare (ndoshta vajzat shqiptare të lindura në vitet ’90) e kemi të vështirë të krijojmë marrëdhënie jo- toksike. E ndoshta e gjithë kjo është një justifikim që unë i jap vetes për të mos u ndier në faj për kryeneçësinë që kam treguar apo tregoj në marrëdhënie me të tjerët.
Sido që të jetë, pasiviteti në marrëdhëniet çift është diçka të cilën unë e kam hasur në shumë raste tek vajzat, ndoshta kjo ndikuar edhe nga rrethi që kam frekuentuar apo frekuentoj. M’u desh shumë mund për të hequr dorë nga krenaria e cila nxiste pasivitetin tim toksik, dhe më duket sikur qe pikërisht kjo zgjidhja për të krijuar një marrëdhënie të shëndetshme, në të cilat gjërat nuk zgjidhen me mbyllje dere, fikje telefoni, bllokim numri, por me komunikim. Të folurit është, siç mund ta keni dëgjuar shpesh lart e poshtë, sekreti magjik për zgjidhjen e shumë problemeve në marrëdhënie me të tjerët.
Kësaj do t’i shtoja edhe një aspekt tejmase të rëndësishëm, siç është ai i diskriminimit gjinor që kemi ne, vajzat, në lidhje me djemtë, të cilët janë të prirur të bëjnë gjithçka, qoftë edhe të bëhen tapet, vetëm e vetëm për të fituar vëmendjen e vajzës që kërkojnë të kenë në krah, vetëm që kjo pastaj të vazhdojë të bëjë të vështirën derisa vdekja t’i ndajë. Por ky, është vetëm një ideal i sëmurë. Unë nuk e besoj dhe kurrë nuk kam për ta besuar se marrëdhëniet e mira krijohen kështu; vetëm ato disfunksionalet.
- Shëndeti mbi të gjitha!
Ndiej se këtu nuk kam nevojë për shumë shpjegime; fakti që mora Covid-19 dhe jam gjallë besoj se është goxha argument, megjithatë mund t’ju them se shndërrimi pas këtij momenti të vështirë, për mua është domethënës.
Dy javët e mbyllur në shtëpi bashkë me partnerin tim, duke qenë sëmurë që të dy, ishin të mbushura me pasiguri për të nesërmen. Sado ti e di se çfarë ndikimi ka media tek mendja, sado e fik televizorin dhe përpiqesh të shpërqëndrohesh me seriale dhe filma, ndjesia e të paturit brenda teje një organizëm krejtësisht të panjohur, është e një niveli krejt tjetër. Gjithçka, që nga televizori i ri apo çështjet e rëndësishme profesionale, u shpërbënë si rëra rreth këmbëve të tua kur je në breg të detit dhe vjen dallga e merr me vete.
Por ndonjëherë, të këtilla janë edhe për njeriun mësimet, ndaj unë më shumë se gjithçka tjetër uroj të mos harrojmë, pasi koha nuk merr asgjë prej nesh; jemi ne ata që i lënë gjërat të shkojnë.