Imazhi që kemi për veten nuk është asgjë më tepër sesa një selfie me Facetune.  

Nëse do të më pyesnit se si do të mund ta përshkruaja 2021-shin, nuk do të mundesha dot me shqipen e sotme. Por, mendoj se grafiku i mëposhtëm mund ta kryejë disi këtë punë:

Në gjuhën që jemi të aftë të flasim, mund ta shpreh thjesht: 2021-shi ka qenë për mua, viti më i çuditshëm nga të gjitha vitet që kam jetuar. Dhe më besoni, kam jetuar gjëra aq të çuditshme, saqë nuk do të duhej të më bënte përshtypje gjë prej gjëje. Disa prej tyre nuk i kam ndarë dhe nuk besoj se do të mundem ta bëj së afërmi. Megjithatë, disa prej jush e njohin historinë time të anoreksisë, gjithashtu mund të më keni parë e dëgjuar në televizion dhe në radio, ose të keni lexuar shkrimet e mia këtu, tek Përgjumësh. Unë kam jetuar ekstreme të shumëçkaje. Sidoqoftë, më duhet të them se njerëzit dhe jeta nuk reshtin së surprizuari.

Kështu që mësimet e këtij viti kanë qenë hera-herës të vështira. Edhe pse mund të jemi të pajisur me vetëdijen se asgjë e bukur në jetë nuk vjen thjesht, vetëdija nuk të ndihmon aq shumë sa ç’mund të presësh. Por, vetëdija për diçka tjetër, shumë herë më të qenësishme, është ajo që të mban me këmbë në tokë: vetëdija për dashurinë.

Më poshtë, 5 mësimet që më dha 2021-shi, së paku ato mësime madhore të cilat mendoj se ia vlen që t’i ndajmë së bashku, siç është bërë tashmë traditë e çdo fundviti tek Përgjumësh.

Medias i mungojnë gazetarët

Këtë vit mora për herë të parë guximin për të bërë diçka jashtë karrierës së cilën e kisha ndjekur, studiuar dhe dashuruar prej 13 vitesh, si gazetare dhe folëse në media. Të tregohem e sinqertë, këtë ndryshim madhor as që e kisha imagjinuar. Kur investon para tek një angazhim dhe i humb, të duket se ke dështuar. Por kur ke investuar praktikisht gjithë jetën dhe të gjitha dijet e tua, të duket se çfarë mbetet nuk ka kurrfarë kuptimi. Ja që nuk qe kështu.

Shumë miq të mi që punojnë në media mund të bien dakord se, puna në televizion, portale, radio ect. është tejmase e lodhshme dhe në të shumtën e rasteve, nuk është shpërblyese. Lëre që, tani nuk kemi pse flasim aspak në ajër për kësi gjërash duke patur një listë të tërë me pagat e të gjithë punonjësve të medias, ku është e pamundur që të mos e vëresh diferencën e madhe në vlerësim monetar mes shumicës (teknikë apo gazetarë) dhe pakicës: drejtues dhe prezantues të njohur.

Megjithatë, kjo nuk më pengoi aspak që ta vijoja me këmbëngulje punën në media për vite e vite të tëra. Ajo që më shtyu të shkëputem, qe mungesa në vlerësimin profesional. Media ka nevojë për njerëz të lexuar dhe idealistë, po aq sa për njerëz të aftë në negociata politike. Forcimi i së parës nuk e zhbën aspak të dytën. Unë besoj se kjo barazpeshë i mungon medias dhe prandaj duket sikur televizionet tona nuk po e arrijnë asnjëherë atë standartin që na duket se e kanë televizionet e huaja.

Ose, siç i themi në bisedat tona të përditshme, duhet të ketë vend për të gjithë. Gazetarë për hir të gazetarisë duen jo vetëm në radhët e 300 mijë lekëshave, por edhe në pozicione të rëndësishme. Është parimi më demokratik në botë, mund ta njihni ndryshe si meritokraci. Kjo që ne kemi ne aktualisht, është një media me parime komuniste, në një shtet demokratik.

Ka jetë edhe jashtë medias

Kësisoj, ishte çështje muajsh që ideja e “magjisë mediatike” të tkurrej para syve të mi në një rreckë të vjetër që tanimë përdoret për të larë xhamat e politikës, me ndryshimin e vetëm se shumëkush vazhdon ta shikojë si bluzën tejmase të lakmueshme që ka qenë dikur, ose mbase s’ka qenë ndonjëherë, madje madje do të thoja që historia e televizionit dhe radios sonë është aq e vogël dhe e parëndësishme pikërisht sepse ka qenë përherë një rreckë e politikës.

Jashtë medias, ka njerëz që punojnë dhe gëzojnë edhe pa qenë e nevojshme t’u dëgjohet zëri në radio apo pa u dalë fytyra në televizor mëngjes për mëngjes. (Kur dikush është me të vërtetë profesionist, nuk e ndjen të nevojshme të dalë dhe t’ua tregojë të tjerëve, siç bëjnë shumë personazhe të fushave të ndryshme që i shikojmë përditë në media.) Përveç kësaj, ndjesitë njerëzore janë po ato: gëzim, trishtim, trashje, neveritje. Nuk është e domosdoshme të punosh në televizion për t’i përjetuar.

Shkurt, kjo puna e magjisë së televizionit është më tepër një vetëmashtrim, përndryshe mezi kapërdihet. Sigurisht, nëse e dashuron, do të thotë që është lloji i përshtatshëm i vetëmashtrimit për ty. Por, përtej medias jeta gëlon po aq, në mos më tepër sfiduese dhe pasionante.

E vërteta është subjektive

Të mos e shikosh jetën bardh’ e zi do të thotë të përpiqesh ta kuptosh të vërtetën e të tjerëve. Veçanërisht kur kjo e vërtetë ka të bëjë me ty.

Nëse ndihesh i sulmuar, ose qoftë edhe vetëm i keqkuptuar, instinkti të çon të vendosesh në pozita armiqësore me njeriun që ke përballë. Unë këtë vit kam filluar të mendoj se nëse dikush po kritikon disa aspekte të tuat, duhet marrë si një sinjal se mbase ke nevojë të ndryshosh diçka, pasi për mirë apo për keq, pasqyra jonë e vetme të tjerët janë. Imazhi që kemi për veten nuk është asgjë më tepër sesa një selfie me Facetune.  

Më i rëndësishmi në këtë mes është padyshim komunikimi. Të tjerët nuk kanë ndonjë mënyrë për të të lexuar mendjen, ndaj është e rëndësishme ajo se çfarë u thua dhe më shumë akoma çfarë vendos të mos e thuash. Nëse mendon se ajo që po u thua është thjesht e vërteta, më mirë mbylle gojën, sepse e vërteta është krejtësisht subjektive.

Megjithatë, të vërtetën tënde duhet ta mbrosh deri në fund

Pa dashur të tingëlloj Makiaveliane. Pikërisht sepse e vërteta është subjektive dhe nuk ka ndonjë forcë të epërme që të vendosë drejtësi në marrëdhëniet tona (sigurisht, përveçse nëse çështja shkon në gjykatë) e vetmja gjë që të takon të bësh është ta mbrosh atë tek e cila ti beson se është e vërtetë. Nëse ulesh pa bërë asgjë, sigurisht që do të triumfojë e vërteta e tjetrit, e quajtsh këtë të drejtë apo jo. Koncepti i karmës në të vërtetë nuk ka të bëjë me pasojat, por me vetë zgjedhjet që ne bëjmë në jetë. Nëse bën një zgjedhje të keqe, do të kesh pasoja aspak të mira. Nëse zgjedh të rrish, karma nuk ka për ta mbrojtur të drejtën tënde në vendin tënd. E kush në fund të fundit, e përcakton se ajo që mendon ti, për veten tënde, është e drejta?

All you need is love

Sepse COVID-i dhe gjëra të tilla, do të doja sidoqoftë ta mbyllja me një notë në maxhor. Sigurisht, asgjë nuk ka më tepër vlerë sesa njerëzit që do. Shëndeti mbi të gjitha.

Por, s’e kam fjalën këtu. E kam tek ajo që, çfarëdo që të bësh në jetë, duhet ta duash. Kafen e mëngjesit, ecjen për në punë dhe shopping-un mbi të gjitha. Nuk ka ndonjë forcë tjetër që të të motivojë kaq shumë. Të tjerat mbeten rastësore dhe mbi të gjitha, zhgënjyese.